Wednesday, March 6, 2013

Djalli është ‘i bardhë’

  

Djalli është ‘i bardhë’


Real Madridi është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas fitores prej 2-1 kundër Manchester Unitedit në Old Trafford në një ndeshje mahnitëse dhe mbresëlënëse. Pas rezultatit prej 1-1 në Santiago Bernabeu, Mbretërit kualifikohen me rezultat të përgjithshëm prej 3-2.Teatri i Ëndrrave dhuroi një fraksion të parë mjaft atraktiv, me dinamizëm të jashtëzakonshëm, megjithatë nuk dhuroi gola. Skuadra mysafire e dominoi këtë pjesë, si në posedim ashtu edhe në kontrollimin e lojës, mirëpo më të rrezikshëm ishin lojtarët vendas.
Alex Ferguson kishte caktuar një taktikë defensive që bazohej në kundërsulme të shpejta, ndërkohë që Jose Mourinho zhvillonte një lojë të hapur sulmuese me posedim të topit.

Rasti i parë i vërtetë erdhi nga Vidic, i cili pas harkimit të Giggs nga këndi e goditi shtyllën, më pas Welbeck goditi drejt në portierin Lopez, megjithatë paraprakisht sulmuesi anglez ishte në pozitë jashtë loje.
Gonzalo Higuan arriti ta dërgojë topin në rrjet, mirëpo loja ishte ndalur për shkak të një ndërhyrjeje të palejuar të Ramos. Nga ana tjetër, portieri mysafir bëri dy pritje të mira nga gjuajtjet e njëpasnjëshme të Van Persiet dhe Welbeck.
Cristiano Ronaldo ishte i heshtur në gjysmën e parë, ndërsa Angel Di Maria u lëndua. (Vendin e tij e zuri Kaka).

Fillimi i gjysmës së dytë ishte fatal për Los Merengues, të cilët pas një pasigurie në mbrojtje pësuan. Një top të dërguar nga Nani e devijoi Welbeck, ndërsa Sergio Ramos e dërgoi në rrjet (48’).
Edhe në gjysmën e dytë të kësaj finaleje para finales së vërtetë, zhvillohej skema e njëjtë e lojës – Reali sulmonte, Unitedi mbrohej dhe priste rastin.

Momenti vendimtar i takimit ishte në minutën e 56-të, kur arbitri e përjashtoi Nanin me karton të kuq pas një ndërhyrjeje në Arbeloan, e që do të duhej të mjaftohej me karton të verdhë.
Nga ky moment, mysafirët dominuan totalisht duke krijuar rast pas rasti dhe më në fund Luka Modric me një gol të bukur nga distanca theu defensivën vendase (66’).

Shumë shpejtë, Oezil bëri një lëvizje të bukur, Higuain pasoi në zonë dhe Cristiano Ronaldo i shënoi ish-ekipit të tij (69’) golin që i dërgonte Mbretërit në çerekfinale.
Djajtë e Kuq u përpoqën që në minutat e mbetura të ndryshonin diçka, mirëpo nuk e kishin fuqinë për ta përmbysur rezultatin, ashtu që u eliminuan nga gara më e madhe evropiane që në fazën e 1/8 së finales.
Edhe rreziku nga mysafirët vazhdoi, por nuk pati gola të tjerë. Përmendim një goditje të shtyllës nga Kaka.

No comments:

Post a Comment