Thursday, March 7, 2013

Zonja konfirmon kualifikimin

Celticu nuk ka arritur të bëjë ndonjë mrekulli për ta përmbysur disavantazhin prej tre golash në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Juventusit. Ndeshja e zhvilluar në Torino përfundoi me rezultat 2-0 në favor të Zonjës së Vjetër. Takimi i parë i zhvilluar në Celtic Park përfundoi me rezultat 3-0 në favor të Bianconerëve dhe pas ndeshjes kthyese, Juventusi kualifikohet me rezultat të përgjithshëm prej 5-0. Ekipi vendas e filloi takimin pa presion dhe luante vetëm sa për të kaluar minutat, ndërkohë që mysafirët përpiqeshin të shfaqeshin agresivë në kërkim të ndonjë mrekullie për ta prekur çerekfinalen. Megjithatë, defensiva bianconere dhe Gigi Buffon në portë, nuk i lejuan skocezët që ta dërgonin topin në rrjet. Përkundrazi, ishin lojtarët me fanellat bardhezi ata që shënuan. Andrea Barzagli bëri një rikuperim të jashtëzakonshëm të topit dhe asistoi te Quagliarella, i cili goditi drejt portës, ndërsa Forster e mbrojti goditjen e tij, por aty ishte Alessandro Matri për t’i gëzuar tifozët vendas në stadium (24’). Në gjysmën e dytë, edhe pse nuk luante me skuadrën e vet më të fortë, Juventusi filloi të shfaqej gjithnjë e më i sigurt duke ua pamundësuar mysafirëve depërtimin në zonë. Ndërkaq, mjeshtri Andrea Pirlo dërgoi një top të gjatë drejt Vidal, i cili nuk u tregua vetjak dhe asistoi te Fabio Quagliarella që nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët (65’). Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, Celticu nuk arriti ta shënonte as golin e nderit dhe i tha lamtumirë Ligës së Kampionëve.

No comments:

Post a Comment